Workshop për përfaqësuesit e SES (Senior Expert Service) në Bonn, Gjermani
Nga data 4-8 nëntor, SES (Senior Expert Service) organizoi një seminar ndërkombëtar në selinë e tyre në Bonn, duke mbledhur përfaqësues nga Shqipëria, Kolumbia, Kazakistani, Kosova, Laosi, Pakistani, Peruja, Filipinet, Serbia dhe Sri Lanka. Ky seminar nxiti diskutime dinamike, seanca të hapura informative dhe shkëmbimin e ekspertizës dhe perspektivave në fusha të ndryshme.
Geri Oshafi, përfaqësuesja e SES pranë DIHA-s, ishte pjesë aktive e këtij seminari. Seminari ofroi një platformë bashkëpunimi për të diskutuar praktikat më të mira dhe për të forcuar lidhjet me SES, duke synuar mbështetjen e rritjes së bizneseve shqiptare nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky seminar startoi me një fjalim hyrës të Drejtoreshës Ekzekutive të SES, Marion Sodemann, e cila shprehu vlerësimin për angazhimin e vazhdueshëm të secilit përfaqësues dhe theksoi përkushtimin e SES në mbështetjen e të gjitha vendeve partnere. Koordinatorët dhe folësit kryesorë, duke përfshirë Susan Hübner, Bettina Hartmann, Yvonne Iyer dhe Jo Töpfer, u kujdesën për krijimin e një ambienti mikpritës, tërheqës dhe informues.
Seminari prezantoi një sërë temash: një përmbledhje të bazës së të dhënave të ekspertëve të SES, sektorët që mbështet SES (si kujdesi shëndetësor, arsimi, prodhimi etj) dhe shërbimet e reja GSE (German Senior Experts) apo projektet online të SES (duke mbuluar sektorë si marketingu, dizajni i uebit etj). Seminari theksoi gjithashtu shkëmbimin dhe zhvillimin e një rrjeti global të hapur dhe bashkëpunues ndërmjet përfaqësuesve të SES nga rajone të ndryshme, që mbështet transferimin ndërkombëtar të njohurive.
Këtu mund të gjeni informacionet e nevojshme rreth SES. Për te gjitha bizneset e interesuara për suportin e ekspertëve SES, ju lutemi kontaktoni Geri Oshafi në oshafi(at)diha.al.