Kapitali njerëzor, aseti më i çmuar

Në datën 18 dhjetor, DIHA dhe Deloitte Albania & Kosovo organizuan një workshop me temë “Kapitali njerëzor, aseti më i çmuar”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte reflektimi dhe diskutimi mbi mënyrat më të suksesshme se si mund të zhvillohen dhe fuqizohen Drejtuesit e Burimeve Njerëzore, në mënyrë që të shtojnë vlerë, për të arritur objektivat strategjikë të kompanisë nëpërmjet kapitalit njerëzor. Pas një fjale të shkurtër përshëndetëse nga Drejtori i DIHA-s, Bledar Mankollari, fjalën e morën ekspertët e Deloitte, të cilët folën mbi trendet e kapitalit njerëzor në Shqipëri dhe në botë, burimet njerëzore si partner strategjik i biznesit dhe pajtueshmërinë e Burimeve Njerëzore me legjislacionin në fuqi (HR Compliance). Gjithashtu, ata zhvilluan edhe një ushtrim interaktiv mbi kiminë në biznes (Business Chemistry), që i përfshiu të pranishmit dhe ngjalli diskutime mbi karakteristikat e personaliteteve të ndryshme dhe mënyrat se si mund të arrihet një bashkëpunim sa më frytdhënës në shumë aspekte të biznesit.

Pas workshop-it, të ftuarit patën mundësinë të vazhdonin bisedat në një atmosferë shumë të këndshme fundviti, pranë oxhakut, në oborrin e brendshëm të Hotel Rogner.