Ligji për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar"… 5 vjet më pas

Në datën 14 nëntor, DIHA dhe PwC Albania organizuan një workshop mbi Ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar", me qëllim reflektimin mbi problematikat kryesore të hasura gjatë 5 viteve që kanë kaluar nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Edhe pse ai është në përputhje me direktivën përkatëse të Bashkimit Europian, duket sikur ende paraqet problematika në lidhje me zbatueshmërinë e tij në praktikë.  Për këtë qëllim, përveç ekspertëve të Departamentit të Taksës në PwC Albania, të ftuar në panel ishin edhe dy përfaqësues të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj - Drejtoria e Kontrollit Tatimor, z. Alfred Sefa dhe z. Adrian Çira.

Më shumë se 130 përfaqësues të bizneseve të ndryshme iu përgjigjën ftesës së organizatorëve dhe ishin të pranishëm në sallë. Eventi u hap me fjalën përshëndetëse të Drejtorit të DIHA-s, z. Bledar Mankollari i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezencën e tyre dhe theksoi se aktivitete të kësaj natyre janë veçanërisht interesante për bizneset, duke qenë se trajtojnë probleme që hasen në përditshmërinë e tyre dhe kanë një ndikim të konsiderueshëm në mbarëvajtjen e biznesit. Më pas, znj. Loreta Peci, Country Managing Partner pranë PwC Albania dhe njëkohësisht përfaqësuese e DIHA-s në Këshillin Tatimor, u shpreh në fjalën e saj përshëndetëse se ky workshop u konceptua me dëshirën e përbashkët të organizatorëve për të ndihmuar bizneset në çështje ku shpesh hasin vështirësi. Për këtë ajo falënderoi veçanërisht përfaqësuesit nga Drejtoria Rajonale Tatimore, që iu përgjigjën ftesës dhe për gatishmërinë e tyre për t‘iu përgjigjur pyetjeve të bizneseve.

Më pas workshop-i u zhvillua në formën e një diskutimi jo formal dhe kishte në qendër trajtimin e disa prej rasteve më problematike të prezantuara nga PwC Albania si edhe raste konkrete të hasura nga vetë bizneset e pranishme. Eventi ishte shumë interaktiv, duke mundësuar shkëmbimin e eksperiencave dhe këndvështrimeve të ndryshme, si dhe përçimin direkt të feedback-ut në mënyrë të dyanëshme. DIHA dhe PwC Albania shprehën gatishmërinë që edhe në vazhdim të përçojnë problematikat e bizneseve drejt organeve tatimore, në mënyrë që të lehtësohet sa më shumë marrëdhënia mes biznesit dhe shtetit, duke përmirësuar procedurat.