Takim me përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë mbi Problematikat e Infrastrukturës në Tiranë

Më 15 nëntor 2024, DIHA organizoi një takim të rëndësishëm me përfaqësues të Bashkisë së Tiranës në ambientet e Hotel Hilton Garden Inn Tirana. Takimi u fokusua në evidentimin dhe diskutimin e problematikave që ndikojnë në mënyrë direkte tek bizneset.

Takimi nisi me fjalën përshëndetese të z. Bledar Mankollari, Drejtor Ekzekutiv i DIHA-s, i cili falënderoi pjesëmarrësit dhe theksoi se ky event ishte një vazhdimësi e tematikave të ngritura në takimin me AIDA-n. Më pas fjalën e mori Zv. Ambasadori Gjerman, z. Thilo Schroeter, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi mbështetjen e Ambasadës Gjermane për adresimin dhe përmirësimin e këtyre problematikave. Në fund, Zv. Kryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani, theksoi gatishmërinë për të trajtuar çështjet shqetësuese të biznesit dhe ftoi kolegët e saj të prezantoheshin për të gjithë të ftuarit.

Disa nga çështjet kritike të identifikuara lidhen me trafikun dhe transportin publik, vendet e parkimit dhe infrastrukturat rrugore, infrastruktura e ujit dhe kanalizimeve dhe transparenca në sistemin e llogaritjes së taksave dhe tarifave vendore.

Anëtarët shfaqën si shqetësim kryesor problemin e trafikut, veçanërisht në autostradën Tiranë-Durrës, i cili po ndikon negativisht në rekrutimin dhe mbajtjen e stafit, si dhe në lëvizjen e qytetarëve gjatë orëve të rënduara. Mungesa e një shërbimi transporti publik 24 orë për turnet e treta u përmend si një sfidë për disa biznese. U sugjerua përmirësimi i transportit publik në mënyrë që dhe trafiku te reduktohet. Disa anëtarë shprehën si shqetësim shtimin e vendeve të parkimit për punonjësit e shërbimeve, për të shmangur gjobat e panevojshme dhe për të lehtësuar takimet e ditës. Gjithashtu u evidentua nga disa anëtarë nevoja për përmirësim të rrugëve, veçanërisht në disa vende të Tiranës, për shkak të dëmtimeve apo cilësisë së ulët të infrastukturës rrugore. Shqetësime u ngritën edhe mbi kapacitetet e pamjaftueshme të vendeve për vendosjen e impianteve të ujit dhe kanalizimeve në zonat periferike.

Zv. Kryetarja e Bashkisë dhe Drejtori i Drejtorisë për Transportin Publik z. Enton Punavija prezantuan disa masa dhe zgjidhje të parashikuara, të cilat përfshijnë përfundimin e autostradës, përmirësimin në cilësinë e rrugës dytësore Tiranë-Durrës të cilat ndikojnë në reduktimin e trafikut. Një projekt i përbashkët me shtetin gjerman, që parashikohet të përfundojë vitin e ardhshëm, është linja hekurudhore. Gjithashtu është planifikuar një riorganizim i linjave të autobusëve, pra një model i ri i lëvizjes, që ndan korsinë e autobusëve nga pjesa tjetër e lëvizjes së automjeteve, e cila pritet të përmirësojë qarkullimin.

Disa çështje të rëndësishme, si zgjatja e orarit të transportit publik apo përmirësimi i vendeve për impiantet e ujit dhe kanalizimeve, do të adresohen më tej për të planifikuar zgjidhje konkrete.

DIHA falënderon të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre dhe përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës për bashkëpunimin në këtë takim me anëtarët e DIHA-s.