Nis programi për bujqësinë digjitale dhe transformimin rural

Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me partnerët e Kombeve të Bashkuara ka nisur programin “Bujqësia Dixhitale dhe Transformimi Rural” (DART). Ky pogram trevjecar (2024-2027), i financuar nga fondi i OKB-së, synon digjitalizimin e sektorit agroushqimor për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe barazinë si edhe mbështet integrimin e Shqipërisë në BE.

Ai do të përfshijë politika të reja, shërbime e-qeverisjeje dhe ngritjen e kapaciteteve të bujqësisë dixhitale për punonjësit publikë, shkollat, qendrat e trajnimit, studentët dhe fermerët e vegjël, veçanërisht grupet më të pafavorizuara. Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, Shqipëria do të përmirësojë sistemet e informacionit elektronik për të mbështetur zhvillimin e aftësive dhe përvetësimin e teknologjive dixhitale nga fermerët.

Projekti do të përmirësojë Portalin e Fermerit për të ofruar shërbime këshillimore për të paktën 15,000 fermerë dhe do të trajnojë 40 aktorë kombëtarë, 180 studentë dhe 400 fermerë për të rritur njohuritë dixhitale. Programi, hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe OKB-ja dhe mbështetur nga BE-ja, synon që deri në vitin 2027 të rrisë produktivitetin bujqësor, konkurrencën ushqimore, rritjen socio-ekonomike, barazinë gjinore dhe të përmirësojë jetesën rurale në Shqipëri.

Burimi: lajme.rtsh.al/artikull/nis-programi-per-bujqesine-dixhitale-dhe-transformimin-rural