Shqipëria, vendi i parë në rajon, i cili dërgon aplikimin formal për t’u pranuar në zonën gjeografike SEPA

Më 13 qershor 2024, guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Genti Sejko firmosi aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të Pagesave në Euro (SEPA). Ky hap pritet të ulë kostot dhe kohën e transfertave ndërkombëtare, duke përmirësuar efiçencën e pagesave ndërkufitare si edhe do të lehtësojë tregtinë dhe investimet me vendet e BE-së, duke ofruar transparencë dhe komoditet për konsumatorët shqiptarë. 

Shqipëria është, kështu, vendi i parë në rajon, i cili dërgon aplikimin formal për t’u pranuar në zonën gjeografike SEPA. Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA, jo vetëm që shënon një hap mjaft të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian të vendit, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian.

BE-ja është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, dhe pjesëmarrja në SEPA do të ndihmojë në zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Bizneset shqiptare do të kenë qasje në tregun evropian prej 350 milionë banorësh, duke rritur mundësitë për zgjerim dhe konkurrencë.

Pjesëmarrja në SEPA pritet të ndikojë pozitivisht në sektorë strategjikë si turizmi dhe investimet e huaja direkte, si dhe të formalizojë flukset e remitancave duke ulur kostot e transfertave në euro.

Burimi: lajme.rtsh.al/artikull/banka-e-shqiperise-firmos-aplikimin-zyrtar-per-anetaresimin-e-shqiperise-ne-sepa