Tryezë diskutimi me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Më 3 Prill 2024 DIHA organizoi një tryezë të rëndësishme diskutimi, pranë Tirana Marriott Hotel, me qëllim nxitjen e lidhjeve midis aktorëve të biznesit dhe perfaqësuesve të qeverisë. Ky aktivitet shërbeu si një urë lidhëse për të trajtuar shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen bizneset, duke siguruar që çështjet të përcillen tek autoritetet përkatëse.

Ambasadori gjerman z. Karl Bergner mbajti një fjalim përshëndetës, ku nënvizoi rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe mbështetjen e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Zëvendësministrat e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit znj. Olta Manjani dhe z. Endrit Yzeiraj shprehën kënaqësinë dhe mirënjohjen e tyre për mundësinë e përfshirjes në dialog me aktorët e biznesit, për një angazhim të përbashkët në rritjen ekonomike, zhvillimin kulturor dhe inovacionin në Shqipëri.

Presidentja e DIHA-s, znj. Stephanie Sieg-Farka falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre aktiv dhe interesin e treguar për këtë event, duke i kaluar fjalën, drejtuesit të DIHA-s, z. Bledar Mankollari, i cili ftoi të pranishmit në diskutim, për shqetësimet apo problematike që dëshironin të shprehnin. Diskutimi ishte tepër interaktiv, edhe pse në fund koha e planifikuar ishte e shkurtër për të folur mbi të gjitha problematikat.

Në fund të diskutimeve, u ofrua mundësia e Networking, dhe mundësi të reja bashkëpunimi në të ardhmen.

DIHA falënderon të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre.