DIHA Oktoberfest TIRANA 2023

Në datat 27 dhe 28 tetor DIHA organizoi festën e saj më të madhe të vitit „DIHA Oktoberfest Tirana 2023“. Organizimi i Oktoberfest-it është kthyer në një traditë të përvitshme për DIHA-n, e cila celebronte këtë vit Oktoberfestin e saj të 14-të. Rreth 700 anëtarë dhe miq të DIHA-s iu bashkuan kësaj feste gjatë të dy mbrëmjeve në ambientet e Mak Albania Hotel në Tiranë. Ata festuan nën tingujt e bandës tipike bavareze të Oktoberfestit „Gaudi Blos’n“ të cilët përcollën tek të pranishmit një atmosferë autentike dhe të gëzueshme. Kësaj feste nuk mund t‘i mungonin as pjatat tradicionale dhe as birra gjermane, pija karakteristike që simbolizon Oktoberfest.

Oktoberfest u hap zyrtarisht nga zv. Ambasadori Gjerman Z. Thilo Schröter, Ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani në Parlament, Z. Taulant Balla, si dhe nga Presidentja e DIHA-s, Znj. Stephanie Sieg-Farka. Pas deklarimit të Oktoberfest si të hapur, u krijua një atmosferë shumë e hareshme në skenë, e shoqëruar nga një shumëllojshmëri lojërash dhe aktivitetesh argëtuese për pjesëmarrësit.

DIHA falenderon të gjithë sponsorët që bënë të mundur realizimin e këtij eventi, si dhe të gjithë pjesëmarrësit, të cilët iu bashkuan festës sonë. Duke shpresuar të shihemi sërish Oktobërfest-in e ardhshëm – Gëzuar!