DIHA 15 vite

Më datë 21 Shtator DIHA festoi 15 vjetorin e themelimit të saj në ambientet e Rogner Hotel. Anëtarë dhe partnerë të DIHA-s, përfaqësues të bizneseve, politikës dhe diplomacisë, u bashkuan për të festuar së bashku praninë e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, tashmë prej 15 vitesh në Shqipëri.

Ceremonia festive nisi me fjalën përshëndetëse të Presidentes së DIHA-s, znj. Stephanie Sieg-Farka, e cila falënderoi përzemërsisht anëtarët e DIHA-s për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer, organizatat partnere, si dhe bordin dhe stafin e DIHA-s, për kontributin e vazhdueshëm. Gjithashtu ajo shprehu se DIHA do të vazhdojë rrugën e nisur, duke forcuar bashkëpunimet e duke dhënë kontribut në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.

Më pas, të ftuarit u përshëndetën edhe nga Ambasadori Gjerman në Shqipëri, z. Karl Bergner, Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Eduard Shalsi, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit znj. Delina Ibrahimaj si dhe znj. Antje Wandelt, e deleguar e Industrisë Gjermane për Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë.

Pas fjalimeve, pjesëmarrësit patën mundësi për biseda e shkëmbime, nën tingujt e violinës dhe muzikës së përzgjedhur. 15 vjetori i DIHA-s theksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, në promovimin e sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik. DIHA falënderon të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre në këtë event.