Webinar: "Shqipëria si një vend për investime"

Në datën 9 nëntor u organizua me iniciativën e Dr. Jonela Hoxhaj, Konsulle Nderi e Shqipërisë në Hessen, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë së Frankfurtit dhe DIHA-n, një webinar me temë “Shqipëria si një vend për investime”. Siç kuptohet edhe nga titulli, synimi i këtij aktiviteti të moderuar nga Paul Schmitz, përfaqësues i dhomës së tregtisë së Frankfurtit, ishte t‘u prezantohej kompanive gjermane të Frankfurtit, Shqiperia, të jepej një informacion më i gjerë mbi situatën aktuale të ekonomisë shqiptare dhe potencialin e saj për zhvillim dhe thithje të investimeve.

Pas një fjale përshëndetëse nga Dr. Jonela Hoxhaj, Drejtori i DIHA-s, Bledar Mankollari prezantoi para kompanive të pranishme informacione te detajuara mbi “Shqipërinë si një vend për investime”, duke nisur me të dhënat bazë sasiore për një vend, si popullsia, PBB, rritja ekonomike, inflacioni, importet/eksportet dhe ecuria e këtyre treguesve ndër vite e duke vijuar me informacione më të detajuara lidhur me legjislacionin në fuqi (duke u fokusuar në legjislacionin tatimor), mënyra e regjistrimit të një biznesi, lehtësitë kryesore për investimet e huaja, industritë më te zhvilluara, si dhe fushat që paraqesin më shumë potencial për të investuar. Gjithashtu ai prezantoi dhe DIHA-n, si pika e parë e kontaktit për investitorët gjermanë që interesohen për Shqipërinë dhe ftoi të pranishmit të kontaktonin zyrën e DIHA-s në rast interesi konkret për të investuar.

Më pas fjalën e mori Peter Feldmann, përfaqësues i GIZ (Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar) me një prezantim mbi “Public Private Partnership”, një instrument shumë tërheqës që mundëson ndihmë të konsiderueshme për investime që vlerësohen se kanë efekt në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Pas këtij prezantimi, Albana Shkurta, CEO e kompanisë Lufthansa Industry Solutions ndau me të pranishmit historinë e suksesit të kësaj kompanie në tregun shqiptar dhe informoi mbi potencialin që paraqet Shqipëria në industrinë e Teknologjisë së Informacionit. Aktiviteti vijoi me pyetje nga kompanitë gjermane dhe me shkëmbim kontaktesh për vijim të komunikimit. Pas pjesëmarrjes në organizimin dhe prezantimit në këtë aktivitet, DIHA i vlerëson si shumë të rëndësishëm evente të kësaj natyre dhe synon të zhvillojë edhe të tjera nëpër lande të tjerë të Gjermanisë në të ardhmen.