Reflektim dhe diskutim mbi situatën aktuale të biznesit
Ndryshe nga vitet e kaluara dhe për shkak të situatës aktuale, DIHA ishte e detyruar që këtë vit të devijonte nga tradita e Pritjes së Përvitshme të DIHA-s, duke e zhvilluar edhe takimin e parë të këtij viti online. Megjithatë situata nuk na pengon të diskutojmë, madje në kushtet që jemi, të reflektojmë e të diskutojmë mbi situatën aktuale të biznesit bëhet edhe më e rëndësishme. Me pjesëmarrjen e Ambasadorit Gjerman në Shqipëri, z. Peter Zingraf, Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, kompanitë anëtare dhe bashkëpunëtorët e DIHA-s u ftuan në takimin virtual me temë “Reflektim dhe diskutim mbi situatën aktuale të biznesit”.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Presidentja e DIHA-s, znj. Stephanie Sieg falënderoi Qeverinë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e ofruar në këtë situatë të vështirë për të gjithë. Gjithashtu ajo falënderoi dhe kompanitë anëtare të DIHA-s për komunikimin e vazhdueshëm të problemeve të tyre dhe dhënien e rekomandimeve me vlerë në shumë raste. Ajo përmendi një sërë projektesh të rëndësishme në të cilat DIHA ka kontribuar gjatë vitit të kaluar, për të ndihmuar sado pak në përmirësimin e klimës së biznesit në kushte aspak të zakonshme. Ndër to vlen të përmendet veçanërisht bashkëpunimi me GIZ për të ndihmuar industrinë tekstile të përshtatej me realitetin e ri, duke diversifikuar prodhimin dhe klientelën, shoqërimi i delegacionit virtual gjerman në fushën e mobilitetit dhe logjistikës, si dhe organizimi i konferencës virtuale për sigurimin e forcave të kualifikuara të punës në Shqipëri.
Ambasadori Gjerman, z. Peter Zingraf, përshëndeti gjithashtu të ftuarit dhe theksoi në fjalën e tij se: „Edhe pse vëllimi tregtar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë vitet e fundit është rritur dhe në rrugën e integrimit në BE janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm reformash, një pjesë e madhe potenciali vazhdon të mbetet e pashfrytëzuar. Sipërmarrje gjermane dhe të huaja vazhdojnë të shprehin tepër shpesh skepticizmin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ata pyesin, nëse do të mund të gjejnë këtu mjaftueshëm siguri ligjore dhe transparencë. Dhe unë jam dakord: Megjithë përpjekjet e shumta, ekziston nevoja që të ndërmerren hapa të mëtejshëm në mënyrë që klima e investimeve të përmirësohet dhe zhvillimi ekonomik i vendit të ecë përpara. Vendimtare këtu janë siguria ligjore dhe transparenca. Vijimi i reformës në drejtësi dhe asaj në administratë vazhdojnë të jenë me rëndësi thelbësore për demokracinë, ekonominë dhe integrimin evropian. Në këtë rrugë Shqipëria mund të vazhdojë të ketë besim në mbështetjen e Gjermanisë.“
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha palëve, për të përmirësuar hap pas hapi situatën e vështirë në të cilën ndodhemi. Ajo u shpreh se Qeveria Shqiptare e ka vlerësuar rëndësinë e përshtatjes sa më të shpejtë me situatën dhe transformimin e ekonomisë për ta përballuar atë me sa më pak pasoja, duke reaguar jo vetëm me pagesa direkte por edhe me fonde garancie. Gjithashtu situata e tregut të punës dhe mbështetja e SME-ve kanë qenë në vëmendjen e Qeverisë. Ministrja përmendi edhe planin e veprimit për zhvillimin e tregtisë elektronike, digjitalizimin e bizneseve, mbështetjen e start-ups në bashkëpunim me GIZ, si dhe bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare si KfW apo EBRD, për të përmirësuar aksesin e bizneseve në mundësi financimi.
Ministri per Mbrojtjen e Sipermarrjes, z. Eduard Shalsi diskutoi mbi rëndësine e veçantë që ka patur komunikimi i vazhdueshëm dhe intensiv gjatë gjithë periudhës së pandemisë me sipërmarrjen duke vizituar dhe dialoguar në mjediset e tyre të punës për të kuptuar dhe adresuar problematikat e tyre.
Gjithashtu, reagimi i Qeverisë ishte i menjëhershëm, duke ndërmarrë masa të shpejta në mbështetje të kompanive por edhe të punonjësve të tyre, për të siguruar që sipermarrjet të perballonin efektet e shkaktuara nga pandemia me sa më pak pasoja për bizneset dhe individet. Ai theksoi se “po punojmë skenarët e menaxhimit të situatës në varësi të betejës shëndetësore me covidin duke u përpjekur të shmangim sa të jetë e mundur një mbyllje (lockdown) dhe të përgatisim terrenin postcovid mbi rikthimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik.” Gjithashtu, Ministri Shalsi përgëzoi punën e frytshme të kryer nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për të përfaqësuar bizneset anëtare, për të përcjellë problematikat e tyre pranë institucioneve, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit.
Drejtori i DIHA-s, z. Bledar Mankollari prezantoi rezultatet e anketimit mbi ndikimin e COVID-19 në ekonomi, i cili u zhvillua në nëntor 2020 me kompanitë anëtare të DIHA-s. Ndër të tjera ai përmendi se pjesa më e madhe e kompanive karakterizohen nga një shkallë e lartë pasigurie lidhur me ecurinë e biznesit të tyre në të ardhmen. Kjo pasqyrohet edhe në pasiguri lidhur me ruajtjen e vendeve të punës apo në disa raste (për fat të mirë ende të rralla), vihet në dyshim edhe vazhdimi i ekzistencës së vetë bizneseve. Reduktimi i barrës tatimore me qëllim lehtësimin e bizneseve në këto rrethana të jashtëzakonshme ishte një ndër kërkesat më dominuese të bizneseve anëtare të DIHA-s. Një tjetër kërkesë ishte edhe lehtësimi i aksesit tek kreditë me garanci sovrane. Së fundi, një pjesë e kompanive kërkojnë të shmanget një tjetër mbyllje, gjë e cila do të bllokonte edhe më shumë ekonominë.
Me prezencën e aktorëve të rëndësishëm të ekonomisë, politikës dhe organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, ky aktivitet u dha mundësinë pjesëmarrësve të diskutonin mbi situatën ekonomike dhe jepnin rekomandimet e tyre lidhur me hapat që duhen ndërmarrë më tej nga Qeveria Shqiptare.