Pritja e përvitshme e DIHA-s
Të mërkurën, më 17 janar 2024, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi pritjen e saj vjetore pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë. Aktiviteti synoi të angazhonte përfaqësues të diplomacisë, politikës dhe biznesit në diskutime rreth situatës aktuale ekonomike në Shqipëri.
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi pritjen e saj të përvitshme në Ambasadën Gjermane, me pjesëmarrës të shumtë mes të cilëve përfaqësues nga kompani anëtare, organizata ndërkombëtare, përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Tiranë, si dhe aktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare. Aktiviteti nisi me fjalën hyrëse të ambasadorit gjerman në Shqipëri, z. Karl Bergner, i cili shprehu falenderimin për DIHA-n dhe të gjithë të pranishmit për angazhimin e tyre të vazhdueshëm.
Ambasadori Bergner theksoi marrëdhëniet e forta midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke premtuar partneritetin e palëkundur të Gjermanisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Ai u angazhua për mbështetjen e mëtejshme të këtyre marrëdhënieve dhe nënvizoi rëndësinë e investimeve të vazhdueshme si një element thelbësor për zhvillimin ekonomik.
Z. Fation Dervishi, zv.president i DIHA-s, përshëndeti gjithashtu të pranishmit, duke vlerësuar arritjet ekonomike të vitit të kaluar pavarësisht sfidave gjeopolitike. Ai theksoi stabilitetin e sektorit financiar ndërsa theksoi nevojën e vazhdueshme për përkushtim ndaj reformave në qeverisje, në sistemin gjyqësor dhe në tregun e punës. Ai shprehu mirënjohjen tek anëtarët për pjesëmarrjen e tyre dhe nënvizoi vizionin e DIHA-s për vitin 2024, duke theksuar organizimin e eventeve dhe fokusin në zhvillimin e qëndrueshëm për të përmirësuar klimën ekonomike në Shqipëri.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Endrit Yzeiraj, gjatë fjalimit të tij falenderoi DIHA-në dhe Ambasadën Gjermane për kontributin e tyre në ekonominë shqiptare. Ai vlerësoi Gjermaninë si një partner strategjik që mbështet sektorë të ndryshëm ekonomikë dhe siguroi të pranishmit se dyert e qeverisë shqiptare janë gjithmonë të hapura për investitorët. Z. Yzeiraj falenderoi gjithashtu bizneset për rolin dhe kontributin e tyre në rritjen ekonomike të vendit.
Në përfundim të fjalimeve përshëndetëse, të ftuarit paten mundësinë e Networking ku nëpërmjet bisedimeve mundën të thellohen më tej mbi situatën aktuale ekonomike ne Shqiperi, si dhe për të diskutuar potencialin e mundshëm për bashkëpunim dhe kontakte nëtë ardhmen.