Tryezë e rrumbullakët me bizneset gjermane në Shqipëri: Fokus te reformat doganore

17 Shtator 2026

Më 17 shtator 2026, Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri (DIHA), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe GIZ-in (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), organizoi një tryezë të rrumbullakët në Hotel Rogner në Tiranë. Takimi u fokusua te reformat doganore, si dhe te sfidat e mundësitë që sjell procesi i integrimit të Shqipërisë në BE për sipërmarrjet.

Aktiviteti u hap nga Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Petra-Jule Schultz, Drejtoreshë e GIZ-it për Shqipërinë, dhe Bledar Mankollari, Drejtor Ekzekutiv i DIHA-s.

Në fjalën e tij, z. Beja prezantoi reformat më të fundit në administratën doganore. Ai vuri theksin te digjitalizimi dhe lehtësimi i procedurave, siç janë Sistemi i Ri Kompjuterik i Tranzitit (NCTS) dhe Dritarja e Vetme Doganore (Customs Single Window). Gjithashtu, ai u ndal te strategjia për modernizimin e IT-së, e cila synon përafrimin gradual me sistemet e BE-së deri në vitin 2030. Një pikë tjetër kyçe ishte statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO), i cili po kthehet nga një kërkesë e thjeshtë ligjore në një përparësi të vërtetë konkurruese për bizneset.

Më pas u zhvillua një seancë pyetje-përgjigjesh dhe dialogu i drejtpërdrejtë mes bizneseve dhe doganës. Përfaqësuesit e kompanive gjermane dhe ata të doganës diskutuan për raste konkrete nga praksisa, përfshirë sfidat ditore në bashkëpunim dhe pritshmëritë për digjitalizimin e mëtejshëm. Z. Beja dëgjoi me vëmendje shqetësimet, mbajti shënime dhe iu përgjigj pikave të ngritura.

Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësit vijuan diskutimet në mënyrë më joformale gjatë një kokteji rrjetëzimi (networking) të mundësuar nga hoteli.

DIHA falënderon Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe GIZ-in për bashkëpunimin e frytshem, si dhe të gjithë anëtarët për kontributin e tyre aktiv në diskutim.