Shërbimi i Ekspertëve Seniorë (SES) pranë iCharge sh.p.k.
Nga data 26 janar deri më 13 shkurt 2026, u zhvillua me sukses ekspertiza e radhës pranë iCharge sh.p.k., në kuadër të programit të Shërbimit të Ekspertëve Seniorë (SES). Kompania mirëpriti ekspertin gjerman z. Michael Mietz për një mision tre-javor, me fokus në rritjen e kapacitetit të kompanisë në prodhimin e karikuesve për automjete elektrike, si dhe avancimin e mëtejshëm të kompetencave të saj teknologjike.
E themeluar në vitin 2023, iCharge operon në fushën e karikimit për automjete elektrike, duke shpërndarë dhe instaluar stacione karikimi AC dhe DC, duke ofruar shërbime të planifikimit teknik dhe mirëmbajtjes, si dhe duke operuar rrjetin e saj të karikimit në të gjithë Shqipërinë. Gjatë misionit tre-javor, eksperti u përqendrua në projektimin dhe optimizimin e Bordeve të Qarqeve të Shtypura (PCB), me qëllim përmirësimin e performancës dhe prodhueshmërisë së produkteve. Ai ofroi udhëzime praktike për ekipin e iCharge përmes angazhimit si në zyrë ashtu edhe në terren.
Shërbimi i Ekspertëve Seniorë (SES) u ofron kompanive dhe institucioneve shqiptare mundësinë të përfitojnë nga know-how gjerman përmes këshillimit profesional dhe mbështetjes së personalizuar, të përshtatur sipas nevojave specifike. Me mbi 60,000 projekte të realizuara me sukses në më shumë se 170 vende të botës, SES ka ndihmuar ndërmarrje të ndryshme të përmirësojnë proceset e tyre, të modernizojnë strukturat organizative dhe të afrohen me standardet më të larta ndërkombëtare.
Nëse dëshironi të përfitoni nga përvoja e ekspertëve gjermanë, DIHA ju mbështet me kënaqësi gjatë procesit të aplikimit për këtë program. Për pyetje ose më shumë informacion mbi një bashkëpunim të ardhshëm me SES, ju lutemi kontaktoni znj. Geri Oshafi, përfaqësuese e SES pranë DIHA-s, në adresën e e-mailit: oshafi(at)diha.al .
