Bayern - Fit for Partnership
Nga data 1 deri më 5 dhjetor 2025, një delegacion i përbërë nga përfaqësues të sektorit të turizmit, hotelerisë dhe gastronomisë shqiptare udhëtoi drejt Bavarisë. Ministria Bavareze e Ekonomisë e mundësoi këtë udhëtim, përmes programit ndërkombëtar të trajnimit “Bayern – Fit for Partnership”, i fokusuar këtë herë në zhvillimin e sektorit të turizmit. Projekti u realizua nga em&s GmbH në bashkëpunim me DIHA. Qëllimi i programit ishte shkëmbimi i eksperiencave, prezantimi i potencialit turistik shqiptar dhe vendosja e kontakteve të reja për bashkëpunime dypalëshe.
Pjesëmarrës në delegacion ishin kompani si Hotel Kodra, Gourmet-Restaurant Marchesi, Horeca Care, Albsolution, Colosseo Group, Hotel Kalemi, In-Der-Horeca, Hotel Cajupi, Rafaelo Group, si dhe ekspertë turizmi ne Shqipëri.
Gjatë pesë ditëve, u vizituan kompani të rëndësishme bavareze, ndër to LUSINI International GmbH, Zieher KG, BHS tabletop AG, KristallTurm, Franz Schroll GmbH dhe Rational AG, ku u prezantuan produkte, teknologji dhe modele bashkëpunimi, të aplikueshme edhe për tregun shqiptar. Një nga pikat kryesore të programit ishte pjesëmarrja në panairin e organizuar në Hotelkompetenzzentrum, ku delegacioni shqiptar prezantoi zhvillimet e turizmit në Shqipëri dhe kompanitë gjermane u prezantuan dhe treguan interes për mundësi bashkëpunimi në një treg të ri. Në panair u dha mundësia e takimeve B2B, me qëllim bashkëpunimet e ardhshme midis palëve.
Programi u mbyll në Ministrinë Bavareze të Ekonomisë në Mynih, ku u organizua ceremonia përmbyllëse dhe u shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje për të gjithë anëtarët e delegacionit.
DIHA falënderon përzemërsisht Bayern International, em&s dhe të gjithë përfaqësuesit e delegacionit nga Shqipëria për realizimin e këtij projekti, si dhe shpreson në bashkëpunime të mëtejshme.
