Pritja e përvitshme e DIHA-s

[Translate to Shqip:]

[Translate to Shqip:]

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi ditën e mërkurë, më dt. 1 shkurt 2023 pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë pritjen e përvitshme të DIHA-s, për të diskutuar mbi aktualitetin ekonomik në Shqipëri me përfaqësues të biznesit dhe politikës.

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) ftoi kompanitë e saj anëtare dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të politikës dhe organizatave ndërkombëtare në pritjen e saj të përvitshme pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë. Si një shoqatë që ka në fokus të saj përmirësimin e kushteve ekonomike, të cilat janë bazë për nxitjen e investimeve, tregtisë dhe shërbimeve në Shqipëri, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, DIHA ndjek me vëmendje zhvillimet në vend dhe ofron mbështetjen e saj për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin rreth 70 pjesëmarrës, ndër të cilët përfaqësues të politikës, bizneseve anëtare të DIHA-s dhe të organizatave ndërkombëtare, të cilët u përshëndetën në fillim nga Ambasadori Gjerman, z. Peter Zingraf.

Ambasadori Zingraf theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë sot më të ngushta se kurrë më parë, një fakt që megjithatë nuk është i shprehur ende plotësisht në marrëdhëniet ekonomike. “Shteti i të drejtës dhe transparenca ose lufta kundër korrupsionit mbeten çështje kyçe – jo vetëm për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së por edhe për shfrytëzimin e plotë të marrëdhënieve të biznesit Gjermani-Shqipëri. Të jeni të sigurtë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në këtë drejtim.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori Ekzekutiv i DIHA-s, z. Bledar Mankollari theksoi se viti që lamë pas ka qenë një vit sfidues për të gjithë. “Pikërisht kur menduam se situata e jashtëzakonshme e pandemisë u normalizua dhe më e keqja kaloi përfundimisht, bota u gjend përpara një të papriture të hidhur: lufta në Ukrainë, e cila pati sigurisht një ndikim multidimensional në mbarë botën. Bizneset u përballën me rritjen e çmimit të karburanteve dhe të burimeve të tjera të energjisë, që shkaktoi një rritje të njëpasnjëshme çmimesh në efekt zinxhir dhe sot kemi një normë të lartë inflacioni. Gjithsesi, si çdo sfidë tjetër, edhe këtë do të mund ta përballojmë, duke koordinuar me kujdes lëvizjet tona dhe duke u mbështetur në një komunikim sa më të shëndetshëm mes biznesit dhe politikës. DIHA është këtu, e gatshme për të ndihmuar në këtë drejtim!”

Më pas fjalën e mori Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, z. Eduard Shalsi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi DIHA-n dhe Ambasadën Gjermane për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ai tregoi se komunikimi me DIHA-n dhe kompanitë e saj anëtare ka evoluar ndër vite, nga paraqitja fillimisht e problemeve të shumta nga ana e DIHA-s në një formë më të hapur bashkëpunimi, ku anëtarët e DIHA-s bashkë me problemet sugjerojnë edhe zgjidhje. “Kjo ka sjellë rezultate shumë të mira për sa i përket përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri, për të cilat të gjithë mund të krenohemi.” Z. Shalsi falënderoi bizneset për kontributin e tyre në ekonominë shqiptare dhe theksoi se dyert e Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare janë gjithnjë të hapura.

Në përfundim, të ftuarit patën mundësinë të diskutonin lidhur me sukseset e sfidat e deritanishme dhe mundësitë për përmirësime e bashkëpunime sa më të frytshme në këtë vit që ka nisur, si dhe të zgjeronin kontaktet e biznesit